Edicioni i ri i Pullave postare: Kinematografia kosovare

Prishtinë, 26 Janar 2010

Filatelia e Postës së Kosovës, ka lansuar edicionin më të ri të pullave postare, me titull “Kinematografia Kosovare”. Ky edicion përmban gjithsej, tri pulla postare me figurën e yjeve të kinematografisë kosovare, siç ishin aktorët: Faruk Begolli, Abdurrahman Shala dhe Melihate Qena. Gjithashtu, Posta e Kosovës ka nxjerr edhe Zarfin e Ditës së Parë me të njëjtën temë, bllokun filatelik dhe fletëpalosjen. Të gjitha këto produkte të Postës së Kosovës, klientët e PTK-së dhe koleksionuesit filatelikë, do t’i gjejnë ato në të gjitha pikat shitëse të PTK-së, në mbarë vendin.

HISTORI E SHKURTËR E KINEMATOGRAFISË KOSOVARE

Para luftës së dytë botërore në territorin e Kosovës në vitet 1935-37, ishin të regjistruara shtatë kinema nëpër qytete te ndryshme, duke  vazhduar me punë të palodhshme dhe duke dhënë artistë të mëdhenj si: Abdurrahman Shala (25.10.1922-09.03.1994) producent dhe skenarist i filmit të gjeneratës së parë të Kinematografisë Kosovare. Punoi si drejtor i parë i studios filmike të quajtur Kosovafilmi, por dhe si aktor i shumë filmave si: “Proka”, “Njeriu prej dheu”, “Përroi vërshues” etj.

Melihate Qena (9.10.1935-25.03.2005)-primadona e dramës shqiptare, e cila luajti në më se 180 role, ku dëshmoi talentin e saj prej një aktoreje të madhe në shfaqjet si: “Erveheja”, “Hanka”, “Othello”, etj. Ajo, me të vërtetë ishte nga femrat tona të para të merituara,  e cila mbetet si simbol i pavdekshëm i një femre shqiptare dhe aktoreje të madhe.

Në rrugën e trasimit të aktorëve të mëdhenj, padyshim ishte dhe Faruk Begolli (14.02.1944-23.06.2007), i cili u dëshmua në shumë filma si: “Në bebëzën e diellit”, “Era dhe lisi”, etj. Ishte i njohur si pedagog në Akademinë e Teatrit dhe Filmit. Vdekja e hershme e aktorit të madh ka pikëlluar gjithë njerëzit e artit dhe kulturës shqiptare, sepse ne radhë të parë vdes njeriu, por nuk ka vdekur aktori i famshëm shqiptar Faruk Begolli.

Në plejadën e këtyre artistëve të mëdhenj radhiten dhe aktorë të tjerë si: Muharrem Qena, Hadi Shehu, etj. Ky i fundit vazhdon të jetë aktiv edhe sot duke na mrekulluar me rolet e tij prej artisti vërtetë meritor.

Prishtinë