Posta nderon Kaçanikun me dy pulla postare

Prishtinë, 16 janar 2019 -
Posta e Kosovës do të lëshoj të enjten në qarkullim dy pulla postare me pamje nga qyteti i Kaçanikut.

Kaçaniku shtrihet në pjesën jugore të Kosovës, me një sipërfaqe prej 306 kilometra katrorë.

Si qendër administrative daton që nga shekulli XVI. Epitetin qytet historik e mori për shkak të ngjarjeve të rëndësishme për historinë shqiptare që u zhvilluan në Grykën e Kaçanikut - beteja vendimtare për çështjen kombëtare, si dhe shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në vitin 1990.

Rajoni i Kaçanikut ka qenë gjithnjë vatër e rezistencës dhe sakrificës për çështjen kombëtare. Qytetarët e Komunës së Kaçanikut kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi të vendit tonë.

Pozita gjeografike ku takohen klima e ngrohtë mesdhetare dhe ajo kontinentale, pyjet e dendura, dy lumenj, Lepenci dhe Nerodimja, të cilët në fund të qytetit bashkohen, i japin një pamje piktoreske këtij qyteti të vogël, që padyshim paraqet njërin nga destinacionet e preferuara për vizitorët e Kosovës.

Ky emision i pullave postare është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Kaçanikut, nga e cila u siguruan pamjet për dy pullat postare.