Në Kujtesë mund të abonoheni edhe përmes Postierëve

Prishtinë, 22 nëntor 2018 –
Posta e Kosovës dhe kompania Kujtesa u kanë mundësuar qytetarëve që edhe përmes postierëve të abonohen për shfrytëzimin e televizionit kabllor dhe internetit.

Sipas marrëveshjes, qytetarët e interesuar mund të kontraktojnë shërbimet e Kujtesës pa qenë të detyruar të shkojnë në zyrat e kësaj kompanie. Këtë lloj shërbimi do ta ofrojnë postierët e Postës, në tërë territorin e Kosovës.

Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha dhe drejtori i shitjes së Kujtesës, Ilir Krasniqi, kanë nënshkruar të enjten marrëveshjen për këtë shërbim të ri.

“Një prej prioriteteve tona kryesore është ofrimi i shërbimeve sa më afër qytetarit. Ndihem i kënaqur që kjo marrëveshje e bën shumë më të lehtë qasjen e qytetarëve në shërbimet që i ofron Kujtesa”, ka deklaruar kryeshefi Hoxha.

Posta e Kosovës dhe Kujtesa kanë bashkëpunim edhe në fusha të tjera që janë interes të qytetarëve. Klientët e kompanisë Kujtesa mund të paguajnë pa provizion faturat për shërbimin TV kabllor dhe internetit në sportelet e Postës së Kosovës.