Aktivitet për Ditën Ndërkombëtare të Postës

Prishtinë, 9 tetor 2018-
Ndërmarrja Publike Posta e Kosovës Sh.A. sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Postës. Njëri prej aktiviteteve që organizoi Posta, ishte pritja e grupit të fëmijëve parashkollor nga Institucioni Kids Academy ( Qendër për Përkujdesje Ditore dhe Edukim).

Në këtë organizim, zyrtarë nga menaxhmenti, drejtori i shitjes dhe marketingut, Bashkim Mustafa dhe zyrtarë nga drejtoria e Operativës i mirëpritën fëmijët parashkollor, duke iu dhënë informata si kryhen shërbimet postare.

Fëmijët u ndjenë të relaksuar në ambientet e Postës, ata bënin pyetje postierit, si dhe i dorëzuan kartolinat për t’ju dërguar të afërmve të tyre. Ndërsa u ndanë të buzëqeshur teksa pranuan dhuratat modeste nga ndërmarrja.

Dita Ndërkombëtare e Postës shënohet për çdo vit, më 9 tetor, në të gjitha shtetet e botës. Në këtë datë, në vitin 1874 është themeluar Unioni Postar Universal (UPU), agjenci e Kombeve të Bashkuara, që përbëhet nga 192 shtete anëtare.

Posta e Kosovës ende nuk është anëtare e UPU-së, për shkaqe politike, sepse ndër kriteret për anëtarësim është që Kosova të jetë anëtare e OKB-së. Përndryshe, Posta e Kosovës është e gatshme në çdo aspekt të anëtarësohet në këtë organizatë.

Posta e Kosovës kërkon që të bëhet anëtare me të drejta të plota në UPU!