Heronjtë Bekim Berisha dhe Bedri Shala në pulla postare

Prishtinë, 9 gusht 2018 -
Posta e Kosovës ka promovuar të enjten pullat postare për heronjtë Bekim Berisha – Abeja dhe Bedri Shala, në përvjetorin e 20-të të rënies së tyre në betejën e lavdishme në Junik.
Në ceremoninë e mbajtur në Postën e Kosovës kanë marrë pjesë anëtarë të familjeve Berisha dhe Shala, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkëluftëtarë të dy dëshmorëve, si dhe mysafirë tjerë.


Bekim Berisha dhe Bedri Shala ishin dy prej luftëtarëve dhe eprorëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me trimërinë dhe shkathtësinë e tyre ushtarake ata motivuan të rinj e të reja që t’u bashkohen radhëve të UÇK-së.


“Bekimi dhe Bedriu erdhën nga mërgimi për t’i dal zot atdheut në përballje me regjimin e egër serb. Pushka e tyre jehoi në beteja anekënd Kosovës deri në flijimin e tyre heroik në mbrojtje të Junikut, më 10 gusht 1998”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha.
Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dëshmorët e saj janë themeli i lirisë dhe shtetit tonë.


“Bekim Berisha- Abeja mori pjesë edhe në luftën në Kroaci dhe në Bosnje duke u bërë pjesë e pashlyeshme e historisë së popullit kroat dhe boshnjak. Shtëpia e Bedriut dhe vëllezërve të tij ishte çerdhe e UÇK-së që nga fillimi i viteve të 90-ta”, ka thënë kryeshefi Hoxha, gjatë fjalës së tij. 


Bedriu është vëllai i Gjeneral Major Shaban Shalës, i cili ka ndërruar jetë në janar të vitit 2012.


Bekim Berisha – Abeja u lind më 15 qershor 1966 në Graboc të Pejës ndërsa Bedri Shala u lind në Gjergjicë të Drenasit më 2 qershor 1969.


Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy gjeneralët e UÇK-së janë dekoruar nga Presidenti i Kosovës me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se me këto pulla postare Posta e Kosovës ka nderuar jo vetëm dy gjeneralët por edhe bashkëluftëtarët e tyre. “Pullat postare për dëshmorët e kanë vlerën e lapidarëve, shtatoreve të bronzit, sepse do të jetojnë përgjithmonë. Ato do të udhëtojnë edhe në ato shtete që ende se kanë njohur Kosovën”, ka theksuar Lladrovci.

 

Në shenjë nderimi, kryeshefi  Sejdi Hoxha u ka dorëzuar familjes Berisha, familjes Shala dhe kryetarit Lladrovci pullat postare të punuara në bronz si dhe pullat postare në kornizë.
“Emrat dhe heroizmi i Bekim Berishës dhe Bedri Shalës do të jetojnë përgjithmonë, por edhe pullat postare me imazhet e tyre të cilat nga nesër udhëtojnë në tërë botën”, ka thënë kryeshefi Hoxha. 


Për emetimin e pullave postare, Postën e Kosovës e kanë falënderuar motra e Bekim Berishës, Zyrafetja dhe nipi i Bedri Shalës, Xheladini.


Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të përkujdeset që përmes pullave postare të nderohet vepra e personaliteteve të shquara të shtetit tonë.